Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se në policinë serbe nuk është raportuar asnjë sulm i personave të armatosur nga Kosova në zonën e fshatit Rastelicë të Kurshumlisë.
Sipas njoftimit, në këtë zonë janë plaçkitur disa shtëpi në të cilat nuk banon askush.
Njoftimi nga ana e Ministrisë së Brendshme serbe bëhet pas raportimeve të disa mediave se rojtarët e pyllit në këtë zonë kishin lajmëruar policinë pasi dëgjuan të shtëna nga territori i Kosovës.
"Duke pasur parasysh se në këto shtëpi nuk jeton askush, policia menjëherë i informoi pronarët. Më pas u gjet se janë vjedhur një pushkë gjahu, një sharrë elektrike dhe disa mjete të ndryshme", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Zyra e prokurorisë kompetente është informuar nga ana e policisë dhe po merr masa dhe veprime për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes, thuhet në njoftim./Rel