Në kuadër të “Javës Çame”, në Shkup sot u organizua marshi për Çamërinë, i cili filloi nga Kalaja e Shkupit deri te Ambasada e Greqisë.

Para pak ditësh Policia e Maqedonisë së Veriut i hoqi të gjitha mbishkrimet “E duam Çamërinë” në Shkup, pa dhënë asnjë sqarim.

I pranishëm në marsh ishte edhe kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) nga Shqipëria, Shpëtim Idrizi, i cili paraprakisht mori pjesë edhe në një panel diskutim bashkë me historianin Arben Lalla dhe opinionistin Kim Mehmeti.

Marshimi u quajt “Marshi i paqes për Çamërinë”. Qindra të rinj janë mbledhur duke ecur rrugëve me pankarta dhe parrula për Çamërinë.