Një mbrëmje e veçantë ishte ajo e së premtes në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku u ngjitën në skenë orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura me korin italian “𝗖𝗮𝗻𝘁𝗶𝗰𝘂𝗺 𝗡𝗼𝘃𝘂𝗺 𝗱𝗶 𝗦𝗼𝗹𝗼𝗺𝗲𝗼”.

Një koncert premierë me pjesë të kompozuara nga kompozitori i mirënjohur amerikan, Dan Forrest, i cili i ka dedikuar një vepër Papa Françeskut, që u nda nga jeta pak ditë më parë.

Ky koncert erdhi dhe si një homazh, për kreun e Vatikanit, funerali i të cilit ka mbledhur sot në Selinë e Shenjtë shumë liderë botërorë.

“Dy pjesët e repertorit i përkasin një kompozitori mjaft të shquar, Dan Forrest. Në veçanti “Pater Noster” është e veçantë, pasi është marrë nga Fondacioni ynë 𝐵𝘳𝑢𝘯𝑒𝘭𝑙𝘰 & 𝘍𝑒𝘥𝑒𝘳𝑖𝘤𝑎 𝐶𝘶𝑐𝘪𝑛𝘦𝑙𝘭𝑖, që është në një vend të vogël në Peruugia dhe i dedikohet Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta pak ditë më.parë. Për këtë arsye ky koncert ka dhe një domethënie më të rëndësishme. Jemi shumë të.lumtur për këtë bashkëpunim të suksesshëm me orkestrën e forcave të armatosura” – deklaroi Fabio Cofini, dirigjenti italian i orkestrës.

Për dy nga instrumentistet, pjesë e orkestrës dhe Forcave të Armatosura, Stela Bello dhe Keli Gavelli, ky është një koncert vazhdimësie, që mbart emocione të veçanta.

Paqja dhe dëshira për të jetuar ishin mesazhet që u përcollën nga ky koncert. Ky është bashkëpunimi i parë i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura me korin italian, që sollën një mbrëmje vokalo – simfonike për artdashësit durrsakë.