Mesditën e sotme është mbajtur takimi i Rajonit të Mesëm, një strukturë brenda Partisë Socialiste, për arsye organizimi dhe zgjedhjesh që janë në sezonin e vjeshtës.

Takimi u mbajt për gati 3 orë në Këshillin e Qarkut në Durrës, ndërsa menjëherë pas përfundimit, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëherësh zëdhënëse e qeverisë, Elisa Spiropali, në një deklaratë për “DurrësLajm”, tha se u diskutua kontributi që duhet të japin kryetarët e bashkive në punët publike, pastrimin e qytetit, dhe në çështje të tjera, që sipas Spiropalit, janë lënë pas dore nga bashkitë e djathta.

Ndërsa lidhur me shkarkimet e mundshme të drejtorëve nëpër bashkitë e sapokonstituuara, zëdhënësja e Qeverisë u shpreh se nuk ka qenë ky fokusi i diskutimeve të sotme, pasi ka procedura të tjera ligjore mbi zgjedhjen e tyre.

Ne nuk diskutojmë në këto forume për shkarkime dhe emërime. Ka procedura ligjore se si zgjidhen drejtorët. Ne vendosim parimet mbi të cilat duhen zgjedhur: kontributi ndaj komunitetit dhe shërbimi ndaj qytetarëve të majtë e të djathtë, pa dallim”, deklaroi Spiropali.

S.L.