Në Shkup, në praninë e mbi 300 përfaqësuesve nga mbarë hapësirat shqiptare dhe bota, Lidhja Shqiptare në Botë ka organizuar Kongresin e tretë të saj. Me këtë rast është theksuar roli i rëndësishëm në zhvillimin e etnisë e në promovimin e identitetit etno-kulturor edhe përmes implementimit të projekteve që emërtues të përbashkët kanë integrimin.
Zëvendës-kryeministri Bujar Osmani, duke përshëndetur tubimin, ka paralajmëruar ndërtimin e një memoriali të holokaustit shqiptar në fushën e Stenkovencit ku më 1999 u gjetën dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës si rezultat i dëbimit me forcë nga forcat ushtarako-policore serbe. Linda Aliu ndoqi nga afër punimet e këtij tubimi.
Simon Kuzhnini, kryetar i LSHB-së potencoi rolin e Kongresit për, sikurse u shpreh ai, zhvillimin e etnisë e të promovimit të identitetit etno- kulturor, sidomos në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të diasporës tek organet shtetërore në hapësirat shqiptare.
Zv/ Kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, i cili në Kongres përfaqësoi BDI-në, nënvizoi se Shkupi paraqet simbolin më të mirë të përprekjes së brezave të patriotëve shqiptarë dhe të rajonit që të jenë pjesë e familjes euroatlantike. Me këtë rast, Osmani paralajmëroi se shumë shpejt në fushën e Stenkovencit, në afërsi të kufirit me Kosovën, do të ngritet një qendër e madhe përkujtimore të cilën ai e quajti memorial i holokaustit shqiptar. Fjala është për lokalitetin, ku më 1999 u vendosën dhjetëra mijëra kosovarë, si rezultat i dëbimit me forcë nga forcat ushtarako-policore serbe.
Në këtë tubim të Lidhjes Shqiptare në Botë mori pjesë edhe Zv/kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj. Ndërkohë, biznesmeni i njohur nga Tetova, Lazim Destani, në fjalën përshëndetëse, përgëzoi drejtuesit si dhe të gjithë aktivistët e kësaj shoqate për punën e bërë dhe arritjet gjithashtu si dhe inkurajoi që pandalshëm të kontribuohet për çështjen kombëtare sepse vetëm kjo është mënyra që ne si komb të zhvillohemi dhe ta arrijmë bashkimin.
Në Kongresin e Tretë të Lidhjes Shqiptare në Botë morën pjesë mbi 300 delegatë e veprimtarë si dhe përfaqësues e personalitete të fushave të ndryshme – politika, biznesi, kultura e sporti./Klan Maqedoni