Konferenca Ndërkombëtare e Marketingut Inovativ, më e madhja dhe e vetmja në Shqipëri e Rajon, u mbajt pasditen e së premtes në Universitetin e Durrësit.

“Konferenca Ndërkombëtare e Marketingut është një risi, që vetëm Universiteti i Durrësit e organizon. Po ta shohim dhe më gjerë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, është konferenca e vetme, unike, që trajton shkencën e marketingut”, tha për “DurrësLajm” Ervin Myftaraj, përgjegjës i Departamentit të Marketingut pranë Fakultetit të Biznesit në UAMD.

E kthyer tashmë në një “traditë”, në këtë edicion të katërt, konferenca i tejkaloi pritshmëritë.

Ajo bëri bashkë qindra studiues nga 20 shtete të ndryshme të botës.

“Sivjet ne kemi mjaft pjesëmarrës me një gjeografi të gjerë. Kemi gati 20 shtete pjesëmarrëse, duke filluar nga SHBA, Anglia, të gjithë shtetet e rajonit, etj”, tregoi Edlira Llazo, zv. Dekane e FB për Kërkimin Shkencor.

“Shumë e për lumë” nuk gjen vend në këtë konferencë.
Sipas profesorit Kristaq Kume, lista e pjesëmarrësve është dëshmi për këtë.

“Për mua, një nga treguesit që duhet mbajtur në konsideratë, për të treguar se vërtetë ecuria e këtij aktiviteti ka qenë e mbarë, është numri i prezantimeve. Sivjet kemi rreth 60 prezantime, ndërkohë që vjet kanë qenë rreth 100 të tilla. Kjo do të thotë që kërkesa për cilësi ka prevaluar mbi objektivin e të pasurit sa më shumë”, u shpreh profesori.

Shaip Bytyqi, profesor nga Prishtina, ka qenë pjesëmarrës në secilën prej konferencave, dhe njëherazi dëshmitar i jashtëm i kësaj rritjeje.

“Kjo është hera ime e katërt këtu dhe sa herë vij shoh diçka të re, sepse në vazhdimësi gjërat po ndryshojnë.

Nuk mund ta gjesh diçka më unikale se kaq, sepse zakonisht konferencat organizohen në kuadër të fakultetit me tema të ndryshme, por kjo është diçka e rrallë, që një departamet të zhvillojë konferenca të vazhdueshme me tema aktuale.

Vetë fakti që sot ka prej dhjetra fakulteteve jo nga Shqipëria po tregon se ka një interesim të madh”, tha ai.

Prezantimi i punimeve shkencore në konferencën “E ARDHMJA E MARKETINGUT – TRANSFORMIMI PËRMES INOVACIONIT DHE QËNDRUESHMËRISË” synon të jetë një mundësi shumë e mirë për të ndarë eksperienca, risi dhe gjetje të rëndësishme që Departameti i Marketingut në UAMD shpreson të jenë të vlefshme për biznesin, sektorin privat dhe atë publik, kërkuesit shkencorë që janë të angazhuar në studime të ndryshme mbi fushën e marketingut dhe inovacionit etj.