Një hotel luksoz ndërkombëtar në kryeqytetin e Afganistanit u mor peng për gati 12 orë nga 3 sulmues të armatosur.

Forcat e sigurisë afgane shpëtuan rreth 160 vetë pas luftimeve që u zhvilluan gjatë gjithë natës e si rezultat mbetën të vrarë gjashtë civilë, duke përfshirë një grua të huaj, së bashku me 3 sulmuesit.

Asnjë grup terrorist nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit në Kabul. Dyshimet bien mbi talebanët, të cilët synonin të merrnin kontrollin e hotelit në vitin 2011. Autoritetet kanë nisur hetimet për të mësuar se si mundën personat e armatosur të hynin në një ndërtesë të tillë të survejuar dhe të mbrojtur gjatë gjithë kohës.

Ngjarja nisi mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:00, kur pjesa më e madhe e klientëve ishin në restorantin e hotelit luksoz. Dëshmitarë thonë se panë klientë që të qëlloheshin për vdekje, teksa po vraponin në përpjekje për të shpëtuar. Të tjerë u fshehën në dhomat e hotelit, ndërsa kishte edhe nga ata që u varën me çarçaf nga ballkoni.