Vendimi për zëvendësimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha pritet të merret sot, në seancën e radhës, e planifikuar të nisë në orën 11:00.

Seanca e një dite më parë u shty për sot, pasi avokatët e Berishës kërkuan kohë. Ish-kryeministri nuk u paraqit në Gjykatën e Posaçme, por dërgoi dy avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi të cilët kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, që e akuzojnë për njëanshmëri.

Kjo seancë mbahet pas kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës ndaj ish-kryeministrit, nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie”, me arsyen se nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës.

Disa ditë më parë Kuvendi votoi me 75 vota pro kërkesës së SPAK për arrestimin e tij. Më 12 dhjetor në një shkresë drejtuar Kuvendit, SPAK  kërkoi autorizimin për arrestimin e Berishës me argumentin se ish-kryeministri nuk kishte zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

Mbi Berishën rëndon akuza e korrupsionit pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa GjKKO vendosi masën detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë vendit.