Gara e të rinjve socialistë e “FRESH Voice”, e zbritur këtë të diel në qytetin e Korçës, kishte dhe takimin e saj të fundit, ku djemtë dhe vajzat kanë shpalosur vizionin e tyre rreth politikës përpara jurisë dhe të rinjve socialistë.

Pandeli Majko teksa ka përgëzuar të rinjtë korçarë që iu bashkuan këtij rrugëtimi, u kujtoi atyre se ka konflikt interesi me këtë qytet për shkak të origjinës së tij.

“Jemi në Pazar të Korçës, gjithçka ndodh, gjithçka lejohet të thuhet, por edhe për miqtë e mi se unë jam deri diku me konflikt interesi sepse jam në shtëpinë time që më ka rritur”, u shpreh Majko. 

Partia Socialiste hapi konkursin më 20 mars për zgjedhjet e krerëve të Forumit Rinor Socialist në të gjithë vendin, sipas një projekti të quajtur “FRESSH Voice”. Aplikimi në ‘fressshvoice.al’ u bë nga 20 marsi deri më 20 prill, për të rinj nga 16-28 vjeç; më pas janë zhvilluar dëgjesa në çdo bashki të vendit, përballë jurisë së përbërë nga Pandeli Majko, Elsia Spiropali, Gazmend Paja dhe Arlinda Dudaj. Nga ky proces më të mirët do përzgjidhen për FRESSH-in në komunitetin e tyre, por dhe në qendër.