Policia e Shtetit ka arritur të lirojë një person të marrë peng prej 4 ditësh nga dy persona në Fushë-Krujë për motive përfitimi material. 

Operacioni i koduar “Plugu”, është organizuar dhe ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Njësia për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Departamentin e Policisë Kriminale.

Operacioni është finalizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.

Si rezultat u bë i mundur arrestimi i shtetasit E. M.,24 vjeç, banues në Nikel, Fushë-Krujë, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, B. XH.

Të dy këta shtetas prej 4 ditësh kanë mbajtur peng në zonën e Fushë-Krujës për motive përfitimi material, shtetasin B. Z., i cili u lirua pa pasoja gjatë operacionit policor.

Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të shpallur në kërkim.

Materialet në ngarkim të autorëve, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit".