Presidenti Joe Biden nuk ka në plan të shkarkojë Sekretarin e Mbrotjes Lloyd Austin për shkak të mbajtjes sekret të shtrimit të tij në spital, tha të hënën Shtëpia e Bardhë, në një kohë që drejtues të lartë republikanë po bëjnë thirrje për largimin e tij nga detyra.

Zoti Austin, i cili për nga hirearkia, është pas Presidentit Biden, në zinxhirin komandues të ushtrisë amerikane, e mbajti sekret për ditë të tëra si për Presidentin edhe për publikun, faktin që u vu nën kujdes mjekësor në 1 janar.

“Nuk ka asnjë plan tjetër, përveç se Sekretari Austin të vazhdojë të jetë në këtë detyrë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby.

Po të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, tha se Presidenti Biden vazhdon të ketë “besim të plotë” tek zoti Austin mes pikëpyetjeve të ngritura nga ligjvënësit mbi mbajtjen të fshehtë nga shefi i Pentagonit të faktit se ishte shtruar në spital.

“Presidenti ka besim të plotë, vazhdon të ketë besim te Sekretari Austin,” u tha zëdhënësja Jean-Pierre gazetarëve ndërsa Presidenti Biden udhëtonte për në Karolinën e Jugut. Ajo tha se Presidenti Biden bisedoi me zotin Austin të shtunën dhe e vlerësoi faktin që ai mori “përgjegjësinë e plotë” mbi mosinformimin e Shtëpisë së Bardhë për shtrimin e tij në spital.

Të dielën, Pentagoni dha detaje të reja në lidhje shtrimin e zotit Austin, duke thënë se ai iu nënshtrua një trajtimi mjekësor më 22 dhjetor dhe u kthye në shtëpi një ditë më pas. Sipas Pentagonit, Sekretari Austin u vu nën kujdesin intensiv më 1 janar për shkak të dhimbjeve të forta. Ai vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve dhe një ditë më parë, Pentangoni njoftoi se nuk kishte një datë të saktë se kur ai mund të dalë nga spitali.