Të mbash sekrete është e dëmshme. Ky është rezultati i një studimi shkencor, ku shpjegohet se të mbash një sekret bën që të aktivizohet një rreth vicioz, ku mendja kthehet e rikthehet në mënyrë spontane, duke shkaktuar shqetësim dhe ndjesi negative që ndikojnë thellësisht në shëndetin mendor.
Sipas një analize të kryer mbi 240 vullnetarë, rezultoi se mesatarisht një njeri fsheh 9 sekrete brenda mendjes, duke i etiketuar si të rëndësishëm. Gjithashtu, gjatë dy javëve që janë vëzhguar sjelljet e tyre, është vënë re që mendja mendon për të fshehtat në mënyrë kryesisht të pavullnetshme dhe, në të tilla raste, krijoheshin ndjesi ankthi e stresi që ktheheshin në problem. Ndërsa në rastet kur i mendojnë në mënyrë të vullnetshme, vullnetarët kishin tendencën t’i përjetonin në mënyrë shumë më të qetë, madje edhe pozitive, pasi i vishnin me fantazi.
Autorët e studimit dolën në konkluzionin se rrjedhojat negative mbi mirëqenien emocionale janë rezultat i një loope që ndizet nga mendimi obsesiv i të mbajturit një sekret, dhe jo nga sforcimet për ta fshehur nga të tjerët.





