MBAMËNI, SE DO TË VRAS VETEN!

(Në vend të një bilanci të shkurtër për vitin më të keq të Partisë Demokratike)

Nuk është ashtu siç duket, është edhe më keq se aq. Kjo fjali më erdhi ndër mend, teksa po përpiqesha të bëja një përmbledhje të shkurtër për rolin dhe peshën e opozitës së Lulzim Bashës gjatë vitit, që po lëmë pas.
Të gjitha partitë kanë ulje-ngritjet e tyre gjatë jetës së vet dhe nga kjo ligjësi nuk bën përjashtim Partia Demokratike. E ka gabim kush mendon se halli i saj i sotëm është se gjendet në opozitë, sepse rotacioni në demokraci është normalitet.
Në fund të vitit 2017, Partia Demokratike ka bilancin më të keq të gjithë historisë së vet politike, dhe më e keqja nuk duket se ka mbërritur akoma. Kjo nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me numrat e rrëgjuar në parlament, ndonëse edhe ata ulërasin fort. Dhe, natyrisht, janë refleksi më i drejtpërdrejtë i thellimit të humbjeve dhe i diferencës me qeverinë.
Më shumë se kaq, ajo ndodhet në një krizë shumëplanëshe përfaqësimi, besimi, por mbi të gjitha morali, për shkak të drejtimit të gabuar, që ka ardhur duke u përkeqësuar në vitet e fundit.
Nuk po zgjatem me analizën e fakteve dhe pasojave të rënda mbi demokratët shqiptarë dhe po i qëndroj premtimit për ta përmbledhur me pak fjalë përfundimin tim.
Harrojini deklaratat e zjarrta në çadrën e lirisë, ëndrrën e "vjetër" për Republikën e Re, marrëveshjen e papritur të "qepallimit", fushatën e lirë në miell dhe të shtrenjtë në krrunde (Luftë e egër me LSI, paqe me PS), humbjen katastrofike në zgjedhje, rënien e 3 "dëshmorëve" deputetë në seancën e parë, kur votohej Gramoz Ruçi, betimet solemne se Fatmir Xhafa apo prokurorja e re do të kalonin vetëm mbi trupat tanë, e plot të tjera materiale humori si këto.
Zëreni se nuk kanë ndodhur fare dhe ndaluni vetëm një moment për të kujtuar se çfarë e bashkon Lulzim Bashën e përpara zgjedhjeve me atë të pas 25 qershorit. Dhe do të shihni që Partisë Demokratike, që drejtohet prej tij, i ka mbetur vetëm një instrument për të marrë vëmendje dhe për të vënë në vështirësi kundërshtarët e vet. Ndoshta, edhe për të bindur popullin se ka të drejtë.
Bojkoti i zgjedhjeve në verë dhe djegia e mandateve në dimër, që janë pak a shumë e njëjta gjë, pasi ndryshon vetëm forma.
Dhe sot, për fat të keq, ajo ngjason fiks me ata njerëz të dëshpëruar, që ngjiten mbi vinça apo mbi taracat e pallatave të larta dhe kërcënojnë se do të hidhen.
Zakonisht, ata nuk e çojnë aventurën deri në fund, pavarësisht arsyeve dhe motiveve të ndryshme. 
Dhe i sheh të kthehen nga kanë ardhur kokëvarur, sepse, jo vetëm nuk e kanë zgjidhur hallin, por kanë humbur edhe më shumë, sepse tashmë janë edhe të depersonalizuar. Por mbi të gjitha, se nuk mund të ngjiten më aty ku ishin.

Nga Astrit Patozi