Një burrë në Korçë, u ndalua nga policia, pas denoncimit të bërë ndaj tij për rrëmbim. Qazim Qazimaj 52 vjeç, u arrestua ditën e djeshme, pasi dyshohet se që nga 27 dhjetori e deri në 2 janar, ka mbajtur në shtëpinë e tij 24- vjeçaren V.Sh., kundër dëshirës së saj, me qëllim që djali i tij Urim Qazimaj të dilte nga burgu dhe që e reja të përgënjeshtronte kallëzimin e bërë ndaj tij.

Mësohet se V.Sh., ka bërë kallëzim në polici për 23- vjeçarin Urim Qazimaj dhe dajën e tij Mersin Myrtollarin 50 vjeç, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim.

Qazimaj dhe Myrtollari, u arrestuan në fund të muajit dhjetor, pasi 24-vjeçarja i kallëzoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Dobranj të Devollit, e kanë rrëmbyer forcërisht nga banesa. Nga hetimet e kryera, rezulton se Qazimaj, e ka shitur disa herë 24- vjeçaren në Maqedoni, në persona të ndryshëm, në këmbim të përfitimit material prej tyre, të shumës prej 400 euro. Mësohet se Qazimaj, kishte qëllim sërish që të kalonte së bashku me 24- vjeçaren, në Maqedoni. 23- vjeçari ka shkuar bashkë me dajën e tij në banesën e saj dhe e kanë marrë me dhunë, por janë bllokuar nga policia pa mundur të kapërcejnë dot kufirin. Lidhur me këtë ngjarje, babai i të riut, Qazim Qazimaj e ka mbajtur kundër dëshirës së saj në banesë, V.Sh., në mënyrë që të përgënjeshtronte kallëzimin, duke bërë që të arrestohet për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese”.