Policia suedeze ka qëlluar për vdekje një djalë me sindromën Doën në Stokholm, i cili mbante në duar një armë lodër. Oficerët e policisë hapën zjarr në orët e para të mëngjesit të së enjtes mbi Eric Torell, 20 vjeç, duke thënë se ishin para një situate kërcënuese. I riu ishte raportuar i zhdukur para se të qëllohej, pasi qytetarët njoftuan policinë për një person të rrezikshëm me armë në dorë.

Nëna e Eric, tha se lodra ishte një dhuratë dhe e përshkroi djalin e saj si "njeriu më i mirë në botë". Ajo tha për mediat suedeze se Eric ishte me aftësi të kufizuara dhe nuk mund as të fliste, e vetmja gjë që thoshte ishte fjala "mama". "E kam të pamundur të kuptoj çfarë ka ndodhur. Ai s’do t’i bënte keq një mize", tha ajo.

Tre policë shkuan në vendin e ngjarjes dhe iu afruan Eric para se ta urdhëronin atë të hidhte “armën e rrezikshme”. Ai u qëllua pasi sipas policisë, nuk bashkëpunoi.