Në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje në Shijak.

Vihet në pranga 28-vjeçari që posedonte 1 armë zjarri kallashnikov, një krehër dhe municion luftarak. Në momentin që pa shërbimet e Policisë, ai tentoi ta fshihte armën e zjarrit, jashtë banesës së tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të sisguruar nga inteligjenca informative se në fshatin Metallaj, Shijak, një shtetas posedonte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat kanë vënë në pranga shtetasin:

  • Redjon Domi, 28 vjeç, banues në fshatin Metallaj, Shijak.

Ky shtetas posedonte 1 armë zjarri kallashnikov, të cilën, kur ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar ta fshehë në një ambient afër banesës së tij. Gjatë kontrollit në këtë ambient dhe në banesë, shërbimet e Policisë kanë gjetur armën e zjarrit, një krehër dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.