Në zemër të Parisit, në hotelin “Pullman”, shumë pranë Kullës Eiffel, përfaqësuesit ligjorë të Kilie Mbape, në prani të nënës së tij, Fajza Lamari, dhanë një konferencë shtypi, në të cilën i shpallën luftë të hapur Paris SG-së. Sulmuesi i Realit të Madridit ka shpallur nisjen e masave për procedime civile, penale dhe të punës ndaj klubit të kryeqytetit francez, si dhe duke i kërkuar UEFA-s që të analizojë mosmarrëveshjen e ish-klubit. Dhe nëse nuk e bën këtë, t’i refuzojë PSG-së të drejtën për të luajtur në Champions League sezonin e ardhshëm. Delfin Verhajden, e shoqëruar nga tre ekspertë në të drejtën civile, të punës dhe penale, njoftoi se do të apelojë në të tre gjykatat për të kërkuar pagesën e 55 milionë eurove që nuk i janë paguar.
“Procesi filloi në shkurt 2024 dhe që atëherë, PSG nuk i ka përmbushur detyrimet kontraktuale”, tha ai. Në rastin e Kilie Mbape është e thjeshtë. Ai iu bashkua PSG-së në verën e 2017. Ai nënshkroi një kontratë, e cila u zgjat në pranverën e vitit 2022, për dy sezone me një opsion për një vit tjetër. Gjatë rrugës, pati shkëmbime, diskutime, presion… Në fund çfarë mungon? Fjalët e Verheyden ishin të forta, ndonjëherë të ashpra, dhe ai sulmoi Paris SG-në.“Ata kanë të drejtat e tyre”, tha ai, duke deklaruar se një pagues duhet të respektojë plotësisht një kontratë sipas ligjit të punës dhe sportit.
Ai kritikoi ashpër komisionet e ndryshme, të njëjtat që kishin vendosur më parë në favor të Mbapesë, si dhe konfirmoi se kapiteni i kombëtares franceze u takua me ministrin e Sporteve për të rishqyrtuar mosmarrëveshjen mes dy palëve.Në dy ditët e fundit, Mbape ka vendosur të kalojë në kundërsulm total për të përshpejtuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ish-klubin e tij. Më 9 prill, lojtari dhe nëna e tij depozituan një ankesë për “fyerje publike”. Po atë ditë, nënë e bir, shkuan në Gjykatën Gjyqësore të Parisit për të kërkuar vendosjen e një “embargoje parandaluese” prej 55 milionë eurosh në llogaritë e Paris SG-së.