3 dhjetor 2014 – Në Prishtinë të shtunën është zhvilluar Kampionati i 15-të Mbarëkombëtar i Karatesë, i cili ka mbledhur 42 ekipe nga mbarë trevat shqipfolëse në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mali i Zi. Shqipëria është përfaqësuar me kombëtaren e saj, por dhe me skuadrat e shkollës jo publike Kristaq Rama, Imperial Karate Elbasan dhe Kamzën. Në përgjithësi garat janë dominuar nga skuadrat e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kurse për tanët janë gjithsej katër medalje ari, që kanë ardhur nga Rajl Muçollari, Bekim Basha, Ledio Tresa dhe Enea Senja. Por gjithashtu numërohen dhe tetë medalje bronzi dhe një e argjendtë. Kampionati ka përfshirë të gjitha grupmoshat, që nga të rriturit e deri tek fëmijët e moshës 7 vjeçe. Në një kohë që është zhvilluar në të dy stilet, kata dhe kumite.
Federatën Shqiptare të Karatesë e kanë përfaqësuar presidenti i saj Petrit Baba, drejtori teknik Ramiz Ismalgecaj, si dhe trajneri i ekipit kombëtar, Parid Dule. Pa harruar këtu dhe trajnerët e ekipeve të tjera. Sipas kalendarit të vendosur dhe më parë një tjetër aktivitet i tillë pritet të zhvillohet shumë shpejt dhe në Gjilan të Kosovës. Përgjithësisht një përfaqësim i mirë i karatesë shqiptare, ndonëse duhet të kishte bërë dhe më shumë për të treguar rritjen e nivelit cilësor të këtij sporti në vend, që gjithnjë dhuron medalje ndërkombëtare në çdo aktivitet.





