25 maj 2014 – Një vajzë nga Karolina, SHBA, është e njohur gjerësisht në media si nusja e paralizuar, pasi ngeli në karrike me rrota, pas një incidenti fatal pak ditë para dasmës.

Rachelle Friedman mbeti e paralizuar kur një nga shoqet e saj më të mira e shtyu në pishinë gjatë festës së saj të beqarisë. Për fatin e saj të keq Rachelle u përplas dhe theu qafën dhe për këtë arsye mbeti e paralizuar nga qafa e poshtë.

Pavarësisht vështirësive që ka pasur nga kjo ngjarje ajo e ka falur shoqen e saj dhe nuk e fajësuar kurrë për atë fatkeqësi që i ka shkaktuar pa dashje. Madje Rachelle, së bashku me 4 shoqet e tjera të ngushta të saj, bënë një betim se nuk do ta bënin publik emrin e asaj që e shtyu dhe premtimi është mbajtur.

Vajza guximtare ka promovuar librin e saj autobiografik “The Promise”, ku flet për jetën e saj pasi ngeli e paralizuar dhe se sa sfidë e madhe ka qenë për të. Gjithsesi ajo shprehet se është e lumtur me bashkëshortin e saj dhe se përpiqen të bëjnë një jetë normale si të gjithë çiftet e tjera.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/