Dronët luftarakë “Skydagger” kanë mbërritur në Kosovë, si pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar vitin e kaluar me kompaninë turke Baykar.

Bëhet fjalë për dronë kamikazë të tipit RTF (Ready to Fly), të pajisur me mjete shpërthyese dhe të aftë për të goditur objektiva si të lëvizshëm ashtu edhe statikë. Ky dron mund të fluturojë me një shpejtësi maksimale prej 130 kmh në largësi maksimale deri në 10 kilometra.

Por ky zhvillim ka ngjallur reagime të forta nga Serbia. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, e cilësoi sjelljen e Turqisë si “të tmerrshme” dhe një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së Kosovës. Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe ëndërron të rivendosë përsëri Perandorinë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne e kuptuam mirë mesazhin,” deklaroi Vuçiç.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka thënë se, pas dërgimit të dronëve turq në Kosovë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviç  ka zhvilluar një bisedë telefonike urgjente me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Në komunikatën për media është thënë se gjatë bisedës me komandantin e KFOR-it, Mojsilloviç ka shprehur protestë të ashpër kundër “vazhdimit të armatosjes së Kosovës”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, duke thënë se Vuçiç është duke e sulmuar Turqinë, shtet, i cili si vend anëtar i NATO-s, është duke ndihmuar Kosovës që ta ruajë paqen.

Forca e Sigurisë së Kosovës, aktualisht, është në proces të transformimit në ushtri.

Ky proces filloi në vitin 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore, dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.