Mbërrijnë materialet zgjedhore në Durrës. Para pak minutash kanë mbërritur pranë 4 KZAZ-ve të Durrësit, kamionët që transportojnë kutitë dhe fletët e votimit.

Pak ditë më parë, ndërkohë patën mbërritur kamerat që do të vendosen në çdo qendër votimi dhe makineritë që do të bëjnë identifikimin biometrik të votuesve.

Bashkia Durrës ka 4 KZAZ, KZAZ nr.21 tek Pallati i Sportit, KZAZ nr.22 tek shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini”. KZAZ nr 23 tek shkolla “Jan Kukuzeli” dhe KZAZ nr.24 tek shkolla e mesme “Leonik Tomeo”.

Ndërkohë qarku i Durrësit ka edhe 2 KZAZ të tjera, një në Krujë (KZAZ nr.20) dhe një në Shijak (KZAZ nr.25).

Nesër pritet të nisë shpërndarja e të gjitha materialeve zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit të qarkut Durrës për të qenë gjithçka gati për mëngjesin e datës 25 prill.