Ka mbërritur në portin e Shëngjinit Guardia Costiera, anija që do marrë dhe do të kthejë sërish në Itali 12 emigrantët që u akomoduan më parë në kampin e Gjadrit.
Pas vendimit të Gjykatës së Romës, të 12 emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi do të zhvendosen në Itali, ndoshta në Bari, dhe më pas në një qendër pritjeje, ku do të jenë në pritje të procedurave.
Nga Gjadri drejt portit të Shëngjinit, 12 emigrantët do të transportohen me një autobus nën masa sigurie, të ngjashme me ato që tre ditë më parë i çuan në qendrën e akomodimit.
Vendimi i gjykatës së Romës për rrëzimin e riatdhesimit të shtetasve të huaj të transferuar në Shqipëri ishte kryesisht i parashikueshëm. Masa u urdhërua për 12 të huajt, të cilët janë pjesë e 16 emigrantëve (10 nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti) të transportuar drejt Shqipërisë nga anija Libra e Marinës italiane. Katër të tjerët ishin kthyer në Itali me një varkë patrullimi: dy u deklaruan të mitur, dy të tjerë raportuan probleme shëndetësore.
Të gjithë urdhrat e lëshuara në dy javët e fundit bazohen në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila më 4 tetor ripërcaktoi kriterin e “vendit të sigurt” duke vendosur kufizime të rrepta për mundësinë e riatdhesimit të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës. Çështja e shqyrtuar në Luksemburg kishte të bënte me një shtetas moldav i cili mbërriti në Republikën Çeke dhe ndaj tij ishte aktivizuar procedura e dëbimit. Por, siç ndodh gjithmonë me vendimet e Gjykatës së Drejtësisë, parimi duhet të zgjerohet dhe për këtë arsye duhet të zbatohet nga të gjitha shtetet anëtare.