DURRES, 05 mars 2013 – Ka mbërritur në portin e Durrësit fregata franceze AMS Jean De Vienne, që do të realizojë një stërvitje të përbashkët me anijen Iliria P 131 dhe zhytësit e Forcave tona detare.

Qëllimi i kësaj stërvitjeje është rritja e kapaciteteve të anijeve tona për nderveprueshmerinë me anije te NATO-s duke zbatuar standarde të njëjta veprimi. Gjatë ditës së sotme komandanti i anijes franceze, Kapiten i Rangut të Parë, Pierre Yves Grente, zhvilloi disa takime me autoritete të larta ushtarake të vendit tonë dhe pushtetarë vendorë.

Komandanti i Komandës së Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, priti në një takim të veçantë homologun e tij francez dhe më pas vizita e miqve nga Franca u përqendrua në Bashkinë e qytetit ku u takuan me kryebashkiakun Vangjush Dako.

Komandanti i kësaj fregate Kapiten i Rangut të Parë Pierre Yves Grente dhe ushtarakët e tjerë që e kanë shoqëruar i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me të çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij francez. Kryebashkiaku Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës ushtarakëve të kësaj fregate, i ka njohur këta të fundit me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet.

Gjithashtu Dako ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike, por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Në fund të këtij takimi tepër të ngrohtë e miqësor kryebashkiaku Dako i ka dhuruar komandantit të fregatës franceze simbolet e qytetit të Durrësit ndërkohë që naga ana e tij komandanti i fregatës i ka dhuruar kryebashkiakut Dako simbolet e kësaj fregate.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri përveç stërvitjes së përbashkët midis kësaj anije dhe anijes “Iliria” P-131, janë parashikuar të kryhen vizita në bordin e anijes franceze nga efektivë të Forcave Detare, vizita kulturore të personelit të kësaj anije në Durrës, etj.

Fregata "AMS Jean De Vienne", është e treta anije franceze që bën vizitë në vendin tonë. 

/m.l. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/