*Deri tani, 10 kroçera dhe velierë luksozë me 5519 turistë gjithsej

Sot paradite rreth orës 7:20, në portin e Durrësit u ankorua kroçera “Azamara Journey” me 656 turistë të huaj nga të gjithë kontinentet. Kroçera po zhvillon një tur mesdhetar dhe lundrimin e fundit e ka kryer gjatë natës së kaluar nga Dubrovniku në Kroaci.

Nga të dhënat e agjencisë pritëse “Samer & Misa”, mësohet se 288 turistë vijnë nga Britania e Madhe, dhe 183 të tjerë nga SHBA, 49 nga Australia, 32 nga Belgjika, 25 nga Kanadaja, 14 turistë vijnë nga Meksika, dhe 13 nga Norvegjia. Ndërkaq, nuk mungojnë edhe turistë nga Brazili, Kolumbia, Kili, Kroacia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Greqia, Hondurasi, India, Italia, Zelanda e Re, Holanda, Polonia, Rusia, Serbia, Afrika e Jugut, etj.

Anija turistike u ankorua në kalatën 5 dhe do të qëndrojë në portin më të madh të vendit deri rreth orës 18.00 të së enjtes.  

Si zakonisht, një pjesë e turistëve kanë vijuar turin shqiptar me autobusë drejt qyteteve historike të Krujës e Beratit, si dhe drejt Tiranës. Shumë prej turistëve të tjerë do të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit.

Kroçera “Azamara Journey” me flamur maltez është regjistruar në portin e Valetës. Ajo ka një gjatësi 181 metra dhe gjerësi 25.46 metra. Në bordin e saj punon një personel prej 394 vetash.

Që nga fillimi i këtij sezoni turistik, në Durrës kanë mbërritur 10 kroçera dhe velierë luksozë me 5.519 turistë gjithsej.