Kroçiera luksoze “Seven Seas Grandeur” preku mëngjesin e sotëm për herë të parë portin e Durrësit. Anija turistike kishte 728 pasagjerë në bord, kryesisht nga SHBA si dhe vende të tjera.

Në bordin e krocerës u zhvillua ceremonia e mirëseardhjes, siç është kthyer tashmë traditë për të gjitha mjetet lundruese që vizitojnë për herë të parë Durrësin.

Qyteti bregdetar vijon të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse të itinerareve mesdhetare për kroçierat ndërkombëtare. Kjo ndalesë e parë e krocerës luksoze amerikane nuk do të jetë e fundit.

“Shqipëria është pjesë e pellgut të Mesdheut, laget nga deti Adriatik dhe për ne Durrësi është një port i përshtatshëm, para se të shkojmë në Venecia. Ne vijmë, vizitojmë një port, shohim përshtypjet e pasagjerëve tanë dhe më pas vendosim ta përfshijmë në listën e ndalesave tona. Me shumë siguri ne do të vijmë sërish, sepse në këtë periudhë koha është mjaft e mirë dhe turistët mund të vizitojnë shumë site.”– deklaroi kapiteni i saj Aristeidis Mertzanis.

Mbërritja e krocerës luksoze, e cila vetëm 2 vite më parë ka nisur udhëtimet përreth globit, është një dëshmi se turizmi detar po shndërrohet në një trend gjithëvjetor në qytetin bregdetar.

Krocera “Seven Seas Grandeur” ka një dizajn mjaft elegant, suita të gjera dhe shërbim të personalizuar për 750 pasagjerët e saj. Krocera ka një kosto ndërtimi rreth 521 milionë dollarë.

E gjatë 223 metra dhe me një kapacitet prej mbi 700 pasagjerësh, “Seven Seas Grandeur” cilësohet si një “hotel lundrues me pesë yje”.

M.B.