Mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit është ankoruar anija ushtarake “MV EDDYSTONE”, pjesë e kapaciteve logjistike ndihmuese të misionit të KFOR.
71 kamionë dhe 17 kontejnerë zbritën sot nga kjo anije në portin më të madh në vend.
“DurrësLajm” po ju sjell disa pamje të xhiruara pak momente para nisjes së mjeteve ushtarake të NATO-s dhe kontejnerëve drejt Kosovës.
“MV EDDYSTONE” është një anije Roll-on/roll-off (Ro-ro), anije mallrash e dedikuar për transportin e mjeteve motorike, e ndërtuar në vitin 2002. Ka thellësi prej 5.5 m, gjatësi prej 193 m dhe gjerësi 26.07 m. Ndërsa kapaciteti i saj mbajtës arrin deri në 23,235 tonë.
“Pjesë e projektit të Portit të ri të integruar të Durrësit në Porto Romano është dhe ndërtimi i një faciliteti autonom/bazë detare moderne që i përgjigjet nevojave të Forcës tonë Detare si dhe nevojave logjistike dhe të dislokimit të NATO-s.
Për zhvillimin e kësaj baze detare ka filluar bashkëveprimi intensiv me strukturat e aleancës dhe do të mbahen këtë muaj takime në nivel Teknik”, njofton në “Facebook” APD.