Jahti luksoz M/Y A+, që më parë mbante emrin Topaz është ankoruar ditën e sotme në Durrës.
Superjahti 147 metra i gjatë është në pronësi të sheikut Mansour bin Zayed Al Nahyan, bosit të ekipit të Manchester City. Mjeti lundrues superluksoz kushton rreth 450 milionë dollarë.
I lëshuar në det 11 vite më parë, jahti luksoz është prodhuar në kantierin e Bremenit, në Gjermani.
“Është rritur ndjeshëm numri i mjeteve lundruese luksoze që ankorohen në Portin e Durrësit , por edhe koha e qëndrimit të tyre.
Përtej zërave se mjetet lundruese luksoze vijnë në Shqipëri vetëm për t’u furnizuar me karburant, kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në brigjet tona dëshmon se vendi ynë po kthehet në një destinacion edhe për turizmin elitar”,- shkruan në rrjete sociale Autoriteti Portual Durrës.
Një fakt të tillë e konfirmoi javë më parë për “DurrësLajm”, kapiteni i portit Tauland Allka i cili deklaroi se krahasuar me qershorin e vitit 2022, këtë vit janë regjistruar shifra 3 herë më të larta, përsa i përket jahteve, velierave dhe krocerave të ankoruara në portin më të madh në vend.
“Vetëm këtë muaj (qershor)kemi pasur 180 vizita nga mjetet lundruese luksoze, të cilat kanë rritur kohën e qëndrimit të tyre në portin e Durrësit. Nëse deri një vit më parë vinin dhe qëndronin 24 orë ose më pak, tani kemi jahte që qëndrojë në portin e Durrësit edhe dy javë”,- tha Allka.