Ka mbërritur në Gjykatën e Durrësi, 34-vjeçari, Arlen Hasanaj, i cili akuzohet se ka vendosur lëndë plasëse në portën e banesës së presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Në ambientet e Gjykatës do të zhvillohet seanca për dhënien e masës së sigurisë ndaj të riut, ndërkohë që Hasanaj nuk ka pranuar akuzat.

Mësohet se gjyqtare e seancës do të jetë Shpëtime Pitaku.

34-vjeçari akuzohet për “Shkatërrim të pronës me eksploziv” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndërsa, avokati mbrojtës i Hasanajt, Ilia Ilia ka vënë para grupit hetimor pamjet filmike ku 40 minuta para shpërthimit Hasanaj ka qenë në një njësi tregtare. Hasanaj ka thënë para policisë se ka qenë i shoqëruar nga një femër për mëse tri orë, por dëshmia e vajzës në fjalë ka rënë ndesh me deklaratën e 34-vjeçarit. Në dëshminë e dhënë, vajza ka thënë se kanë qëndruar vetëm pak minuta në shoqërinë e njëri-tjetrit.