Pak ditë pasi Dallëndyshe Bici, drejtuese e Kadastrës u denoncua për pjesëmarrje në takimet elektorale, sot në KQZ ka mbërritur një shkresë ankimore, ku kërkohet gjobitja e saj.
Kërkesa ankimore është bërë nga “Qëndresa Qytetare” e cila kërkon konstatimin e shkeljes dhe gjobitjen për pjesëmarrjen në fushatë.
Po ashtu kërkohet edhe gjobitja e Partisë Socialiste.
Kujtojmë që disa ditë më parë Dallëndyshe Bici mori pjesë në një takim elektoral në Kukës, në mbështetje të kandidatit socialist, Safet Gjici. Në fjalën e saj, Bici u shpreh “se jam këtu me bekimin e kryeministrit”.
“Jam këtu me bekimin e Kryeministrit në krah të kandidaturës me të mirë për Kukësin. Duke qenë drejtoreshë për shumë vite në qeverinë shqiptare më është dhënë mundësia për të punuar edhe me kryetarë bashkie te djathtë, por me kryetar Safetin nuk më ka pushuar telefoni për hallet tuaja, për hallet e gjithësecilit” , tha Bici para disa ditësh.