Ka mbërritur në portin më të madh në vend shkatërruesi i raketave të komanduara i klasit Arleigh Burke USS Ramage (DDG 61), pjesë e marinës ushtarake amerikane.
Shkatërruesi i raketave USS Ramage, ndodhet në radën e portit të Durrësit, për një vizitë portuale të planifikuar.

Agjencia “DyrrahSped” do të asistojë me shërbimin e agjencisë detare anijen ushtarake përgjatë 4 ditëve të qëndrimit të saj në portin më të madh në vend.

Vizita në port është përshëndetur edhe nga Ambasada Amerikane në vendin tonë, e cila e konsideron si mundësi më shumë për të përmirësuar partneritetin SHBA-Shqipëri në mbrojtje dhe ndërveprim të vazhdueshëm si aleatë në NATO.
Ambasada e SHBA-së shprehet se “Komandanti i USS Ramage Tim Yuhas përshëndeti homologët e tij të marinës shqiptare në Ramage dhe vuri në dukje se marrëdhënia me Shqipërinë është ndërtuar mbi një themel të vlerave, përvojave dhe vizionit të përbashkët.”
Ekuipazhi i anijes ushtarake do të vizitojë qytetin bregdetar deri ditën e diel (23 korrik), që përkon me ditën e fundit të qëndrimit të saj në vendin tonë.
Anija ushtarake e ka marrë emrin nga zv/admirali Lawson P. Ramage, një komandant i shquar i nëndetëseve, i nderuar me “Medaljen e Nderit” për kontributin e dhënë në Luftën e Dytë Botërore.





