Tiranë 5 qershor 2014 – Ministria e financave ka dërguar për miratim ne qeveri projekt kodin e ri doganor, i cili ka për synim lehtësimin dhe thjeshtimin e procedurave doganore dhe lufta kundër mashtrimit, për t’ju përgjigjur zhvillimeve të tregtisë ndërkombëtare si dhe nevojave të operatoreve ekonomikë.

Kodi synon ndër të tjera dhe qartësimin në zbatim të procedurave të rregulluara prej tij, si për Operatorët Ekonomikë (bizneset) ashtu edhe për Administratën Doganore; 

  •  Përmirësimin, lehtësimin dhe thjeshtimin e rregullave dhe procedurave doganore; 
  •  Harmonizimin e vendimmarrjes;    
  •  Procedura më efikase doganore; 
  •  Unifikimin e një numër rregullash dhe praktikash të rëndësishme të cilat, deri më tani, mundet të jenë aplikuar rast pas rasti;

Në Kodin e Ri janë bërë përmirësime, që përfshijnë masa të cilat çojnë në kalimin në një mjedis doganor elektronik pa letër/paperless, si dhe dispozita për të futur procedurat doganore për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (“AEO”), duke përfshirë zhdoganimin e centralizuar.

Kodi synon garantimin e një ekuilibri midis detyrimit të autoriteteve doganore për të siguruar mirë aplikimin e legjislacionit doganor nga njëra anë dhe nga ana tjetër e të drejtës së operatorit ekonomik për t’u trajtuar në mënyrë të drejtë me anë të zgjerimit të mundësive të kontrollit për administratën doganore dhe të drejtës për apelim nga operatorët ekonomike kundrejt çdo vendimi të autoriteteve doganore duke parashikuar edhe të drejtën e çdo personi që të dëgjohet para se të merret një vendim i disfavorshëm për të. Sigurisht, që kjo e drejtë mund të kufizohet kur shkelja është e rëndë dhe cenon sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare dhe të qytetareve, shëndetin publik, faunën dhe florën dhe konsumatorët.

Ai përcakton të gjitha rastet,  kur lind dhe vendin ku lind një borxh doganor me qëllim që të evitohen vështirësitë dhe zgjidhja juridike si dhe përcakton rregullat që zbatohen për regjime të veçanta duke mundësuar përdorimin e një garancie të vetme për gjithë këto regjime dhe që kjo garanci globale të mbulojë shumë transaksione.

Kodi i ri do të garantojë çlirim të shpejtë të mallrave kur operatori ekonomik jep paraprakisht informacionet e nevojshme për kryerjen e kontrolleve bazuar në analizën e riskut. Duke patur parasysh këtu që Konventa e Kyoto-s, e rishikuar, parashikon që, depozitimi, regjistrimi dhe kontrolli i deklaratës doganore mund të bëhet para mbërritjes së mallrave.

Ai parashikon dhe shkrirjen e regjimit të përpunimit aktiv me pezullim me atë të përpunimit nën kontrollin doganor.

Operatorët ekonomikë të autorizuar

Kodi parashikon që bizneset, të cilat do të kalojnë në një filtër të rreptë, të marrin statusin e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO).

Sipas relacionit të doganave, AEO-të do të kenë disa avantazhe si aksesi në procedurën e zhdoganimit të centralizuar, duke i lejuar atë që të paraqesin deklaratat doganore dhe të paguajnë detyrimet në më të shumtën e rasteve nga zyra e tyre e regjistruar.

Operatorët  gjithashtu mundet të lejojnë të lëvizin mallrat, ndërkohë që ato janë ende në magazinim të përkohshëm.

Përveç të tjerave, operatorët ekonomikë të autorizuar do të kenë mundësi të përfitojnë shtyrje të pagesave, në bazë të një garancie me një shumë të reduktuar (në krahasim me operatorët e tjerë që nuk janë cilësuar sit ë tillë, të cilët duhet të sigurojnë një garanci të plotë).