Ashtu siç ishte paralajmëruar nga autoritetet italiane, anija e marines italiane ‘Libra’ ka mbërritur këtë mëngjes në ujërat e Shëngjinit.

Në bord ndodhen 8 emigrantë me origjinë nga Bangladeshi dhe Egjipti. Anija u nis natën e 5 nëntorit me destinacion Shqipërinë.

Qeveria e udhëhequr nga Meloni po përdor këtë anije për të pritur në det të hapur disa emigrantë, burra të rritur dhe të shëndetshëm që vijnë nga vende të konsideruara të sigurta dhe për t’i dërguar fillimisht në qendrën e Shëngjinit dhe më pas në atë të Gjadrit, sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shqipërinë.

Hera e parë që Meloni e vuri në zbatim këtë strategji ishte më 16 tetor, por dështoi: anija transportoi vetëm 16 emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi, nga të cilët 4 duhej të ktheheshin menjëherë në Itali për shkak se ishin të mitur ose “të cenueshëm”.

Shumë shpejt pas kësaj, edhe të dymbëdhjetët e mbetur u desh të largoheshin nga Shqipëria dhe të ktheheshin në Itali sepse një Gjykatë në Romë vendosi që as Egjipti dhe as Bangladeshi nuk mund të konsideroheshin “vende të sigurta”, duke u bazuar në një vendim të Gjykatës së Bashkimit Evropian.

Kjo shkaktoi një përplasje të fortë mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, të cilit Qeveria iu përgjigj duke blinduar me ligj listën e “vendeve të sigurta” dhe duke mbajtur në të Egjiptin dhe Bangladeshin.