Trupi i pajetë i të burgosurit Adem Rusi, i cili u vetëvra në Greqi ka mbërritur në Shqipëri ditën e sotme.
Adem Rusi humbi jetën rreth disa ditë më parë, ndërsa autoritetet greke thanë se ai u vetëvra në furgonin e policisë në momentin që po transferohej nga spitali për në burg.
Sipas tyre, i burgosuri shqiptar vari veten në kangjellat e furgonit me lidhëse këpucësh.
Por vëllai i tij, Shkëlqim Rusi në një prononcim për mediat ka thënë se nuk do e pranoi faktin se Ademi është vetëvrarë deri sa atij të kryhet autopsia në Shqipëri.
“Në prokurori ka vajtur kallëzimi penal që bëra, dhe do shkoj të pyes për të marrë fletën nëse do pranojnë kallëzimin. Dua me çdo kusht që t’i bëhet autopsia, që të di shkakun e vdekjes e të fle rehat. I kam marrë të gjitha letrat, vetëm atë të prokurorisë pres. Përgjigje deri më tani kam ato që kanë nxjerrë grekët, por unë nuk besoj asnjë gjë, këtu do dalë e vërteta.
Morën fillimisht nënën, pastaj më morën mua e më thanë që e kemi çuar në spital, për kontroll rutinë, natën nuk ka kontroll rutinë. Ka pirë klorinë më tha drejtori i burgut, tha u bë mirë, kur po e kthenim fatkeqësisht vari veten, në makinë të policisë, me gardianë brenda. Ata nuk të lenë as me lidhëse këpucësh, as me rrip, asgjë të ketë i burgosuri, plus ka qenë i prangosur dhe me 2-3 shoqërues.
Do kërkoj drejtësi deri në fund, sikur edhe kjo të jetë e vërtetë që të ketë varur veten, është neglizhencë e tyre. Pas vëllait tim mund ta kenë radhën të tjerët, shteti tonë duhet të ngrejë strukturë në ambasadat tona që të mbrojë të gjithë të burgosurit. Shpresën vetëm te autopsia e kam”-tha Rusi