Trupi i pajetë i 33-vjeçarit Alfons Kola nga fshati Kallmet i Lezhës ka mbërritur në atdhe, dhe pritet që të përcillet gjatë ditës së nesërme për në banesën e fundit.
Ai u vra më 31 Maj me thikë nga bashkëfshatari i tij Petrit Gega, një ngjarje kjo e ndodhur jashtë një lokali në Calcinatello të Breshias.
Mësohet se trupi i viktimës ka mbërritur ne Shqipëri dhe do të prehet të dielën e 11 qershorit në vendlindjen e tij Kallmet.
Gega u ndalua nga karabinierët rreth një orë pas krimit. Autoritetet i trokitën në derën e shtëpisë në Lonato, ku 52-vjeçari me profesion murator, jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët.
Ishin kamerat e shumta të sigurisë në zonë që e identifikuan. Kamerat filmuan po ashtu momentin e sherrit fillimisht me fjalë e më pas goditjen disa herë të 33-vjeçarit me një thikë kuzhine.
Alfons Kola gjeti vdekjen disa orë më vonë në spitalin e Breshias ku u transportua me helikopter në gjendje të rëndë. Kola dhe Gega ishin të dy nga fshati Kallmet i Vogël i Lezhës, fqinj me njëri-tjetrin.
Pikërisht njohja e tyre e hershme, bën që hetuesit italianë të mos përjashtojnë mundësinë se krimi mund të ketë ardhur edhe për shkak të mërive të vjetra.
Megjithatë, ende nuk ka një motiv për krimin e rëndë. Petrit Gega nuk ka folur ende për këtë. Ai mësohet se ka kërkuar ekzorcist dhe ka pretenduar se dëgjon zëra.
Pak ditë më parë, mbrojtësja ligjore e 52-vjeçarit tha se “bëhet fjalë për një çështje delikate”, pa dhënë shpjegime të mëtejshme, duke shtuar edhe më shumë misterin rreth kësaj vrasjeje.