29 shtator 2015 – Sot paradite mbërriti në portin e Durrësit nëndetësja turke “TCG Preveze”, e cila viziton vendin tonë në kuadrin e një vizite portuale që është e përfshirë në Planin e Bashkëpunimit Ushtarak Dypalësh, Shqipëri-Turqi për vitin 2015.
Komandanti i saj, Murat Bozdag së bashku me ushtarakë të tjerë të nëndetëses u pritën në një takim nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, të cilët ndër të tjera diskutuan çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk.
Dako i njohu ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron Durrësi në të gjitha planet, duke i bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike, por edhe ushtarake që ka qyteti.
Në fund të këtij takimi miqësor, Dako së bashku me komandantin e nëndetëses këmbyen edhe disa dhurata simbolike. Dako i dha simbolet e qytetit të Durrësit, ndërkohë që mori nga ana e komandantit simbolin e nëndetëses.
Nëndetësja turke “TCG PREVEZE” me gjatësi 62 metra, gjerësi 5,8 metra dhe peshë 1400 ton, u ankorua në kalatën 4 dhe do të qëndrojë në Durrës deri të shtunën paradite.
Nëndetësja turke vjen për të pestën herë në portin më të madh të vendit, me qëllim shkëmbimin e eksperiencës midis forcave detare shqiptare dhe atyre turke.
/portali DurresLajm/