Mbërrin në atdhe anija “Oriku” e cila shërbeu për më shumë se një vit në detin Egje. Anija e hodhi spirancën në kalatën numër katër të portit në Durrës, ku u prit në një ceremoni të veçantë, me pjesëmarrje edhe të ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Xhaçka e cilësoi “një shpëtimtare të madhe jetësh”, misionin e kryer nga kontigjenti i 6-të, pjesë e misionit në detin egje.

Ushtarakët tanë janë shembulli më i mirë profesional”, tha Xhaçka, duke i kërkuar komandantëve të vënë në dijeni Ministrinë për të gjithë nevojat që ata kanë, në mjete logjistike apo armatim, me qëllim që çdo situatë mos të na gjejë të papërgatitur.

Operacionet e kryera në detin Egje nga kontigjenti i anijes “Oriku”, u përshëndetën edhe nga Komandanti i Forcës Detare, Gjeneralmajor Ylber Dogjani.

Dogjani tha se kontigjenti i 6-të i ka realizuar të gjitha detyrat me sukses duke treguar që janë të denjë të zhvillojnë operacione krahas aleatëve të Nato-s.

Anija shqiptare “Oriku”, e cila qëndroi për një vit në detin Egje në disa operacione të zhvilluara ka shpëtuar nga mbytja rreth 1 mijë persona, të cilët largoheshin nga vendet e tyre në konflikt.

Trupa shqiptare do të jetë sërish pjesë e një misoni krah aleatëve në Nato-s në vitin 2018. Kësaj here, ky mision i është besuar kontigjentit të anijes “Butrinti” e cila është e pajisur edhe me një armatim të veçantë.