Tiranë, 25 prill 2014 – Dasara Malltezi, mbesa e ish kryeministrit Sali Berisha, ka dalë në mbrojtje të nënës së saj, pas akuzave të ngritura ndaj Argitës nga ana e një biznesmeni të huaj. Dasara i adreson akuzat në komentin e saj ndaj Edi Ramës dhe Ilir Metës. Të parit i kujton se deklaron vetëm 3000 euro të ardhura dhe se jep leje ndërtimi në lulishten e fëmijëve, për të ngritur pallatin e gruas së tij, Lindës, ndërsa të dytit i kujton shpenzimet marramendëse të darkës së ditëlindjes.

Kjo është hera e parë që Dasara Malltezi bën një koment politik, duke u përfshirë kështu edhe ajo në vorbullën politike të vendit.

 

Komenti i plotë i Dasara Malltezit

"So proud of my Mom"

Në përpjekjet patetike dhe te dështuara për të hedhur balte mbi të tjerët nuk mungojnë dhe shpifjet, si frymëmarrjet e fundit të megamashtrimit qeverisës, që po mbytet në llumin e korrupsionit që krijoi.

Normal, pse mos të shpifin?

Rama deklaron 3000 euro te ardhura dhe nga ana tjetër ndërton 1000 metra katrorë vilë në Dajt. Ky po, patjetër është njeri i ndershëm, i duhet medalje madje!

Rama i bën dhuratë dasme nuses së re leje ndërtimi të jashtëligjshme, sepse në atë kohë ishte kryetar bashkie. Eh, ja kjo është dashuri e vërtetë, t’i shkatërrosh lulishten fëmijëve për pallatet e gruas!

Rama boton libër dhe nuk deklaron asnjë qindarkë të ardhura nga "Kurbani". Ndërkohë i del nusja te Top Story dhe për financimin e viles thotë "Edi ka marrë dhe ca të ardhura nga libri…".(pastaj bëri nja dy letra bakalli, se normal, ishte periudhë fushate).

Mirë që nuk deklaroni të ardhurat, por qershia mbi tortë është kur dilni dhe manifestoni haptazi këtë gjë me festa 600-700 mijë euro si ajo e ditëlindjes së Metës në Lalëz, apo shtëpia me 11 cepa e Ramës në Dajt.

Ju mendoni se mund të shpifni për time më?! Sikur një të dhjetën e ndershmërisë se saj te kishit ju, nuk do u dinte një popull i tere paudhësitë tuaja. Kur të ndërtoni jetën tuaj në baza ndershmërie, atëherë ejani dhe flisni, atëherë mbase do të kishit guximin të dilnit në komisione për pasuritë e pista që keni. Deri atëherë, ju sugjeroj të shikoni se si balta qe përpiqeni të hidhni, po bie mbi ju dhe se si zhyteni çdo ditë e më tepër në vorbullën e korrupsionit dhe pandershmërive tuaja. Kur të jeni të pastër e te ndershëm vetë, atëherë ejani dhe komentoni mamin tim, e cila çdo gjë e ka arritur me forcat e veta, vullnet të hekurt, punë kolosale, një zemër të madhe dhe me ndershmëri!

“Love you Mom!”

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/