8 maj 2014 – Shumë të rinj dhe të reja shqiptare kanë shkëlqyer nëpër botë me talentin e tyre, dhe aspiratat e tyre sa vijnë e rriten. Gara e ethshme e 25 majit për zgjedhjet e Parlamentit Europian do të ketë mes tyre edhe një shqiptare. 27-vjeçarja shqiptaro-suedeze nga Gjirokastra, Arba Kokalari, mbesa e intelektuales, disidentes dhe atdhetares se njohur Musine Kokalari, është në listë nga Partia Liberal Konservatore (Moderaterna) që qeveris Suedinë, si një kandidaturë shumë serioze për deputete në Parlamentin Europian. Ishte vetëm 16–vjeç kur nisi të merrej për herë të parë me politikë, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të saj. Ajo e shikon politikën si të lidhur ngushtësisht me jetën e saj, pasi edhe studimet i ka mbaruar pikërisht për Politikë dhe Politikë Europiane. Kokalari premton se do të jetë një zë i fortë edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj shqiptarët që jetojnë në Suedi kanë një arsye më shumë për ta votuar atë të jetë një deputete në PE. Për Kokalarin arsimimi është çelësi i barazisë gjinore, ku sipas saj gratë dhe vajzat duhet të jenë të mirëarsimuara. Kokalari ka emigruar në Suedi në vitin 1992, pasi babai i saj ishte emëruar ambasador i Shqipërisë në shtetet nordike dhe baltike. Biondja simpatike flet një shqipe të pastër, kjo falë kulturës së saj në familje e cila i ka ruajtur me fanatizëm tradita tona.
Arba, kur dhe si keni mbërritur në Suedi?
Unë kam vajtur në Suedi në vitin 1992 kur isha vetëm 5-vjeç pasi babai u emërua ambasador i Shqipërisë në shtetet nordike dhe baltike.
Çfarë profesioni kanë prindërit tuaj?
Përveç prindërve unë kam edhe një motër dhe një vëlla. Babai është inxhinier ndërtimi, ka punuar si senior konsulent rreth 12 vjet dhe sot punon në Shërbimin Suedez Publik të Punësimit, ku merret kryesisht me kontaktet me biznesin suedez. Mamaja është e punësuar si farmaciste.
Për çfarë keni studiuar?
Kam mbaruar shkollën e mesme për kanto. Por që kur isha 16-vjeç jam fokusuar tek studimi dhe thellimi i dijeve të mia në Ligjin Ndërkombëtar, Studime Politike dhe Politikë Europiane në Universitetin e Stokholmit.
Si jeni bërë pjesë e politikës në Suedi?
Fillova angazhimin aktiv në forumin rinor të Partisë Liberal Konservatore (Moderaterna) në Suedi që 16 vjeç dhe vit pas viti kam ngjitur shkallët e partisë. Nuk ka qenë e vështirë pasi atje të rinjtë e kanë rrugën e hapur për t’u integruar më shumë brenda strukturave të partisë nëse ata i përkushtohen asaj. Rinia atje është shumë e rëndësishme për partinë tonë, pasi ata janë forca që bën ndryshimet e mëdha. Partia është shumë e hapur dhe shumë ide diskutohen, dhe rinia ka mundësi që në një farë mënyre, ta monitorojë partinë që të mos i largohet vlerave ideologjike dhe gjithashtu të monitorojë zbatimin e politikave.
Ju tashmë jeni edhe anëtare e Këshillit Bashkiak në pushtetin lokal në vendin ku jetoni, si u përzgjodhët?
Unë pata mbështetjen e anëtarëve të partisë për të kandiduar. Ne kemi një proces ku anëtarët nominohen nga forume dhe organizata të ndryshme brenda partisë dhe pas nominimit votohen brenda saj për t’i përfaqësuar. Kjo metodë zgjedhjeje e kandidatëve është transparente dhe demokratike. Asnjëherë nuk është e lehtë kur je e re dhe femër për të arritur pozicione politike dhe kjo është arsyeja pse unë luftoj çdo ditë e më shumë.
Jeni personazh i njohur në Suedi?
Brenda strukturave të Partisë Liberal Konservatore (Moderaterna) unë jam një emër i njohur. Suedia është ndryshe nga Shqipëria pasi politikanët nuk janë shumë të njohur. Ekspozimin tim në media unë e kam pasur nëpërmjet shpalosjes së bindjeve të mia duke shkruar artikuj. Jam intervistuar dhe për të dhënë opinionin tim mbi çështje të ndryshme ne vend.
Prisni që komunitetit shqiptarë në Suedi t’ju japë votën për në Parlamentin Europian?
Unë dua që komuniteti shqiptarë në Suedi ta dijë që kandidoj. Dua që ta dinë që nëpërmjet angazhimit tim ata do kenë një zë, një person që e kupton çdo të thotë të vish nga një vend tjetër dhe të integrohesh në shoqërinë suedeze, një njeri që lufton për të drejtat e tyre dhe vendeve të tyre, jo vetëm në Suedi por edhe në Europë.
Nëse do të përzgjidheni deputete në Parlamentin Europian, do të loboni edhe me kolegët e tjerë të vendeve anëtare të BE që janë skeptik për anëtarësimin e Shqipërisë?
Mendoj që Shqipëria dhe Kosova meritojnë të jenë pjesë e familjes evropiane. Do të mundohem të bind të gjithë skeptikët që zgjerimi i Bashkimit Europian është i rëndësishëm dhe i vlefshëm. Politikat e zgjerimit të deritanishme kanë bërë që Ballkani Perëndimor të jetë i stabilizuar pas një periudhe të vështirë historike. Kjo gjë nuk duhet të ndalojë që ky stabilitet dhe projekt për një Ballkan më të zhvilluar të mos cenohet. Por nga ana tjetër të gjitha vendet, si Shqipëria dhe Kosova duhet të kuptojnë që demokracia dhe institucionet duhet të konsolidohen para se ky integrim të ndodhë.
/gazeta "Dita"/





