SHBA – Një shqiptar me banim në Nju Jork është dënuar nga drejtësia amerikane me 15 vjet burg, për mbështetje të një grupi terrorist islamik. Agron Hasbajrami, 28 vjeç, është arrestuar dy vjet më parë në aeroportin e Nju Jorkut, në tentativë për t'u larguar në drejtim të Pakistanit për t'u bashkuar me xhihadistët.

Sipas akuzës. Hasbajrami kishte komunikuar me një ekstremist nga Pakistani më 28 gusht 2011, grupi i të cilit ishte përfshirë në sulmet e ushtarëve amerikanë në Afganistan. Shqiptari i kishte dërguar ekstremistit pakistanez një shumë financiare prej 1 mijë dollarësh dhe i kishte kërkuar të bashkohej me grupin e tij.

Prindërit dhe xhaxhai i 28-vjeçarit i kanë dërguar një letër gjykatës federale, nëpërmjet së cilës kanë kërkuar pafajësi për të afërmin e tyre. Ata shkruajnë se Agroni është një njeri i shkolluar dhe kujdesej për njerëzit në nevojë dhe kurrsesi nuk mund të jetë një njeri që paraqet rrezik për shoqërinë amerikane.