Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike në degën e Durrësit ka zbuluar 10 emrat që janë propozuar nga grupseksionet gjatë këtyre ditëve dhe që mund të jenë kandidatët që do t’I nënshtrohen primareve që do të mbahen në fund të javës për përzgjedhjen e kandidatit me të cilin do të garojë në zgjedhjet e 6 marsit.

Ish kandidatja për deputete në zgjedhjet e 25 prillit, njëkohësisht avokate, Merita Dakovelli, e cila është deklaruar publikisht si mbështetëse e ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha, bën me dije për “DurrësLajm” se emrat e propozuar nga grupseksionet PD Durrës janë: kryetari aktual i komanduar nga Lulzim Basha, Luan Hoti, urbanisti Ardian Muka, deputeti Oerd Bylykbashi, ish-kandidatja për deputete Manjola Luku, ish-kandidati për deputet Igli Cara, ish-kryetari PD Durrës Osman Stafa, ish-deputetja Fatbardha Kadiu, nënkryetari i PD Durrës Neritan Golja, drejtori i Departamentit të Financës në PD, Veip Ademi, dekani i Fakultetit të Biznesit në UAMD, Shkëlqim Fortuzi.

Ajo që bien në sy eshte që në të gjitha seksionet është propozuar emri i urbanistit Ardian Muka, i përfolur disa ditë më parë si kandidati potencial me të cilin mbështetësit e Berishës do të kandidojnë për bashkinë e Durrësit.

Mësohet se edhe ish-kryetari i degës së Durresit, Igli Cara është propozuar nga shumë grup seksione.

Ndërkohë mes kandidaturave të propozuar nga mbështetësit e Berishës janë edhe dy emra të rreshtuar përkrah Bashës; Luan Hoti dhe Manjola Luku.

Nëse Hoti dhe Luku do të plotësojnë formularin e përgatitur nga Komisioni i Rithemelimit, ata do të përfshihen në garën për primaret.

Nga burime jozyrtare, mësohet se shtatë nga këto kandidatë janë tërhequr nga gara, mes tyre janë dhe ish-kandidati për deputet Igli Cara dhe deputeti Oerd Bylykbashi.