Gjykata e Durrësit ka vendosur në seancën e sotme gjyqësore, të drejtuar nga gjyqtari Xhevdet Lika, të lërë nër burg ish-drejtorin e IEVP Durrës, Indrit Cerloj. Gjykata nuk ka ndryshuar as masën e sigurisë dhënë më parë për mjeken Ylfete Sema, e cila do të qëndrojë në arrest në shtëpi.

Pas seancës gjyqësore ka folur për mediat avokati i Cerloit, Ndriçim Troplini, i cili pohoi se vendimi do të apelohet.

“Jemi plotësisht dakord, është një ngjarje shumë e rëndë, ka cënuar sigurinë, sistemin e drejtësisë, atë të burgjeve, pra çdo gjë, por përgjegjësia është personale dhe individuale dhe çmojmë se kemi të bëjmë me një interpretim të gabuar të ligjit dhe akteve nënligjore, në lidhje me detyrat ddhe funksionet që ka një drejtues IEVP-së në krahasim me policinë e burgjeve dhe personalin mbështetës.“,- tha ndër të tjera avokati Troplini.

“Gjithë akuzat që ka drejtori i IEVP është se ka firmosur një shkresë nga sektori i shëndetësisë që duhet të shkonte një nga të paraburgosurit për vizitë në spital dhe i them pse nuk e ke verifikuar nëse e ka vizituar apo jo mjeku i IEVP-së. Në momentin, kur mjeku i IEVP-së firmos kartelën dhe rekomandimin shtesë do të thotë se ai e ka vizituar, e ka parë. Kjo është gjithë akuza që ka ish-drejtori i IEVP-së“,- tha më tej avokati mbrojtës.

Pak ditë më parë, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari firmosi shkarkimin e Indrit Cërloj nga drejtor i IEVP Durrës. Vendimi erdhi një ditë pas arratisjes spektakolare të të paraburgosurit Altin Ndoci, teksa ky i fundit ishte dërguar për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit.

Pas kësaj ngjarjeje, u krye menjëherë pezullimi nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të IEVP Durrës.

Të premten e javës së kaluar, ish-drejtori i IEVP-së u arrestua nga policia.