Ata që kanë mbetur të papunë prej pandemisë duhet të aplikojnë online për të përfituar nga paketat e vendosura në dispozicion nga qeveria.

Por qytetarët durrsak nuk i besojnë kompjuterit, sa i besojnë takimit me punonjësit e Tatimeve për të marrë informacionin që kanë nevojë.

Të siguruar apo në punë të zezë, punonjësit që kanë humbur punën kanë nxituar që nëpërmjet kompanisë ku kanë qenë të punësuar, apo edhe individualisht të kërkojnë të përfitojnë pagën e luftës, apo 40 mijë lekëshin.

Trëndafilja është një vajzë 20-vjeçare e cila ashtu si shumë persona të tjerë shkon te zyra e Tatimeve për të aplikuar pasi humbi vendin e punës, në një prej supermarketeve të qytetit të Durrësit.

“Nga pandemia lashë punën, pasi punoja në supermarket, nënën e kisha me sëmundje kronike, nuk mund të bëhesha rrezik për shëndetin e saj. Isha e predispozuar të infektohesha dhe të infektoja të afërmit, e kështu që e lashë punën. Isha e siguruar. Nga paketa e parë financiare nuk përfitova, por nga paketa e dytë mora informacion se e përfitoj. Çështja është se pronari i supermarketit ku punoja më tha që nuk e përfiton, e nuk do t’ia dijë shumë. Këtu tek Tatimet më thanë që do presin nëse do e sjellë listën subjekti ku kam punuar, dhe më pas do të veprojnë. Do përpiqem ta përfitoj, më takon, por edhe sepse jemi në vështirësi shumë të madhe ekonomike si familje”, thotë 20-vjeçarja.

E reja tregon se ka mjaft vëshirësi në sigurimin e një pune, sidomos tani që i gjithë qyteti është në karantinë.

Si 20-vjeçarja janë mijëra që kanë humbur punën në Durrës, e po përpiqen që të përfitojnë të ardhura nga paketat që ka vënë në dispozicion qeveria, siç janë paga e luftës 26 mijë, paga 40 mijë, apo asistenca sociale ose pagesa e papunësisë, që është sa 50% e pagës minimale.

K.H.