Situata me mbeturinat urbane në zona të ndryshme të Durrësit shqetëson qytetarët. Një banor i lagjes nr.11, sjell foto nga gjendja e kazanëve të plehrave përgjatë rrugës “Aleksandër Goga”.
Kazanët janë të mbushur plot, ndërkohë që plehrat dhe kutia kartoni derdhen edhe në trotuar.
“Kjo është gjendje e koshave të plehrave te rruga e Gjykatës plot inerte që bllokojnë trotuarin e pa larë dhe e pa dezinfektuar. Sot u bë larja e trotuareve, por çuditërisht pllakat pranë koshave nuk u lanë. Do na shpifen sëmundje të tjera”,- shkruan banori.
Dy ditë më parë ishin banorët e zonës së ish-Kënetës që ankoheshin për pirgjet me mbeturina, që nuk tërhiqeshin rregullisht prej ditësh.
Vitet e kaluara, gjatë sezonit turistik, në lagje të ndryshme të qytetit vihej re shtim i sasisë së mbetjeve urbane edhe për shkak të rritjes së numrit të popullsisë prej kthimit në atdhe të emigrantëve dhe ardhjes së mijëra turistëve për pushime.
Këtë sezon, kur numri i pushuesve mbetet ende i ulët për shkak të pandemisë, sërish tërheqja e mbeturinave mbetet problematike.





