1.039.464 fëmijë në SHBA kanë rezultuar pozitiv në testin për koronavirusin e ri (COVID-19) deri më 12 nëntor, njoftuan nga Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) dhe Shoqata e Spitalit të Fëmijëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kumtesë thuhet se gjatë një periudhe një javore që përfundoi më 12 nëntor, u regjistruan 111.946 raste të reja të koronavirusit tek fëmijët, që është dukshëm më shumë se çdo javë të mëparshme të pandemisë.
“E vlerësoj këtë shifër si tronditëse dhe tragjike. Ne nuk kemi parë një virus të përhapet aq shpejt nëpër komunitetet tona në këtë mënyrë pasi më parë kemi pasur vaksina për fruth dhe poliomielit”, tha presidentja e AAP-së, Sara Goza, e cila ka qenë pediatre për më shumë se tre dekada.
“Përderisa ne presim që një vaksinë të testohet dhe licencohet për të mbrojtur fëmijët nga virusi që shkakton COVID-19, ne duhet të bëjmë më shumë tani për të mbrojtur të gjithë në komunitetet tona. Kjo është edhe më e rëndësishme teksa i afrohemi dimrit, kur njerëzit natyrisht kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura ku është më e lehtë për t’u përçuar virusi”, shtoi ajo.
Deri më tani ka dy kandidatë të suksesshëm të vaksinave kundër COVID-19, një nga kompania amerikane Moderna që njoftoi se vaksina e saj është 94,5 për qind efikase dhe një tjetër nga prodhuesi amerikan i barnave Pfizer dhe kompania gjermane e bioteknologjisë BioNTech, të cilët javën e kaluar deklaruan se vaksina e tyre ka më shumë se 90 për qind efikasitet.
Megjithatë, para se vaksinat të jenë të gatshme për të gjithë, AAP u bëri thirrje udhëheqësve të SHBA-së që menjëherë të miratojnë një strategji kombëtare.
“Na duhet urgjentisht një strategji e re, mbarëkombëtare, për të kontrolluar pandeminë dhe kjo duhet të përfshijë zbatimin e masave të provuara të shëndetit publik si mbajtja e maskës dhe distancës fizike”, tha Goza.
“Kjo pandemi po sjell një dëm të rëndë për fëmijët, familjet dhe komunitetet”, shtoi ajo.
Sipas një sondazhi kombëtar të realizuar nga AAP, 27 për qind e prindërve raportuan përkeqësim të shëndetit mendor për veten e tyre, ndërsa 14 për qind raportuan përkeqësime të këtilla për fëmijët e tyre.
Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vizitat e fëmijëve dhe adoleshentëve në departamentin e urgjencës për problemet e shëndetit mendor janë rritur më shumë se 24 për qind gjatë pandemisë.
Nga AAP gjithashtu thonë se përderisa ndërprerjet në arsim kanë ndikuar në aspektin akademik të fëmijëve dhe stabilitetin e familjes, fëmijët të cilët ishin tashmë të ndjeshëm nga abuzimi dhe neglizhenca para pandemisë, tani janë në rrezik më të lartë dhe të menjëhershëm të dëmtimit të rëndë, neglizhencës dhe madje edhe të vdekjes.
Në SHBA ka gjithsej mbi 11 milionë raste të koronavirusit, me më shumë se 246 mijë vdekje.