Rreth 123 mijë pasagjerë dhe mbi 39 mijë automjete kanë udhëtuar nga/ drejt Portit të Durrësit përgjatë muajit korrik.
Referuar të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, gjatë muajit që lamë pas, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe Durrës – Ankona kanë sjellë në vendin tonë mbi 90,965 qytetarë, ndërkohë që 32,242 udhëtarë janë regjistruar në dalje nga vendi ynë drejt Italisë fqinje.
Një rritje e konsiderueshme e pasagjerëve është reflektuar veçanërisht gjatë dy javëve të fundit të muajit korrik, ku tragetet kanë sjellë me mijëra bashkëatdhetarë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve, por edhe shtetas të huaj.
Në raport me qershorin, në muajin korrik kanë lundruar me tragete rreth 73 mijë udhëtarë më shumë sesa muaji paraardhës.
Vijojnë lundrimet e dyfishta të trageteve të cilat do jenë në funksion të përballimit të fluksit të shtuar të udhëtarëve, i cili pritet të shënojë rritje progresive edhe në javët e ardhshme.