Fundjavën që sapo lamë pas janë përpunuar në hyrje dhe dalje në portin e Durrësit më shumë se 27 mijë pasagjerë.

Sipas të dhënave të Autoritetit Portual, gjatë të premtes, të shtunës dhe ditës së diel janë regjistruar 18.728 pasagjerë në hyrje në këtë pikë kufitare dhe 8.887 pasagjerë në dalje.

Prej më shumë se dy javësh, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas kryejnë lundrime të dyfishta, ndërkohë që linja Durrës-Ankona dhe anasjelltas është e përditshme në portin më të madh në vend.

Gjatë kësaj periudhe, fluksi i udhëtërëve është i përqendruar në hyrje, pasi emigrantët kthehen në vendlindje për të kaluar pushimet.

Gjatë 3 ditëve të fundjavës janë përpunuar në hyrje dhe dalje rreth 7700 automjete.

Të gjitha strukturat shtetërore dhe private që operojnë në portin më të madh të vendit tonë po punojnë me kapacitet të plotë për të përpunuar në kohë rekord fluksin e pasagjerëve dhe mjeteve në terminalin e trageteve.

Autoritetet portuale kanë shtuar ndjeshëm numrin e sporteleve, të cilat aktualisht janë 30 të tilla.

M.B.