Pas arrestimit të pesë zyrtarëve të bashkisë Rrogozhinë për abuzim me fondet e rindërtimit, Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencë lëndore pas dyshimeve se të përfshirë në këtë skemë mashtrimi janë dhe funksionarë të lartë që hetohen nga SPAK.
Për këtë arsye, çështjen ia ka kaluar Prokurorisë së Posaçme për hetime të mëtejshme, duke e konsideruar atë si rast që përfshin korrupsion të nivelit të lartë.
Tre nga pesë zyrtarët e arrestuar, në fund të shtatorit, ndodhen në paraburgim, ndërsa dy gra janë në masa më të lehta sigurie, për shkak të rrethanave të veçanta.
Akuzat ndaj tyre përfshijnë shpërdorim detyre dhe falsifikim me mashtrim në të paktën 78 raste, ku dyshohet se janë manipuluar dosjet e rindërtimit për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e destinuara për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019.
Zyrtarët akuzohen se i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 353 milion lekësh, duke përfshirë në dokumentacionin e përfitimit të fondeve nga rindërtimi dhe kasolle kafshësh apo shtëpi të padëmtuara.
Denoncimi është bërë nga qytetarë të prekur nga tërmeti që nuk kanë përfituar atë që u takon nga procesi i rindërtimit në këtë bashki. Përveç zyrtarëve, nën hetim janë edhe 78 persona të tjerë që përfituan nga kjo skemë mashtrimi.