Shtetet e Bashkruara kanë regjistruar 3,054 viktima të reja me koronavirus më 9 dhjetor, njëherësh rekord të ri në periudhë 24-orëshe.
Zyrtarët amerikanë pritet të sigurojnë sa më shpejt autorizimin për vaksinën e krijuar nga kompanitë Pfizer-BioNTech për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas një takimi që pritet të zhvillojë paneli i Departamentit për Ushqim dhe Ilaçe më 10 dhjetor.
Britania ka filluar këtë javë regjimin e dy dozave të vaksinave, derisa Kanadaja më 9 dhjetor është bërë shteti i dytë perëndimor që ka miratuar të njëjtën vaksinë për koronavirus.
Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara presin të sigurojnë dozat e para të vaksinave për punëtorët shëndetësorë dhe të moshuarit, numri i të infektuarve vazhdon të jetë tejet i lartë.
Mesatarja shtatëditore e vdekjeve me koronavirus ka arritur në 2,276 në Shtetet e Bashkuara, andaj autoritetet amerikane pritet që shpejt të regjistrojnë mbi 300,000 të vdekur, prej kur ka shpërthyer pandemia.
Përveç kësaj, shifrat mesatare të të infektuarve në baza ditore tani janë mbi 200,000 çka ka rritur presionin ndaj sistemit për kujdes shëndetësor, sepse më shumë se 106,000 pacientë janë të shtrirë nëpër spitale.
Pavarësisht rritjes së madhe të numrit të të infektuarve, shumë amerikanë dyshojnë nëse do ta marrin vaksinën që është zhvilluar në afat rekord.
Sipas një sondazhi të kryer nga The Associated Press dhe Qendra Kërkimore NORC, gati gjysma e amerikanëve kanë thënë se do ta marrin vaksinën e re.
Por, 25 për qind nuk janë të sigurt nëse do të vaksinohen, derisa pjesa tjetër ka thënë se refuzon ta bëjë një gjë të tillë.
Ekspertët vlerësojnë se rreth 70 për qind e popullsisë amerikane duhet të vaksinohet për të arritur imunitetin kolektiv./REL