Gjatë vitit të shkuar, gjykatat kanë dhënë 1445 vendime përgjimesh ndërsa janë përgjuar 4099 persona.
Shifra bëhet e ditur në raportin vjetor që organi qendror i akuzës ka dorëzuar në Kuvend, ku thuhet se në saj të përgjimeve, është arritur të kapen në flagrancë 593 persona të dyshuar për vrasje, trafikim të lëndëve narkotike, korrupsion, trafikim të armëve dhe të tjera vepra penale.
Nga të dhënat e përfituara gjatë përgjimeve, në disa raste është mundësuar regjistrimi i procedimeve penale të tjera kryesisht për korrupsion të personave që kryejnë funksione publike.
Edhe për këtë vit, numrin më të madh të aplikimit të përgjimeve e ka Prokuroria për Krime të Rënda, ku rezultojnë 859 vendime të kërkuara për 164 procedime penale. Prioritet i punës së prokurorisë për vitin 2015 ka qenë lufta kundër korrupsionit, ku ka një rritje me 49 %.





