Numri i të vdekurve tashmë ka mbërritur në 40, e pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve lokale, situata e zjarreve në Kaliforni vazhdon të përkeqësohet.
Guvernatori Jerry Brown tha se kjo është një prej tragjedive më të mëdha, me të cilat është përballur ndonjëherë shteti amerikan. 3.000 persona u evakuan vetëm të shtunën nga Santa Rosa, në rajonin e verërave Sonoma, një ndër më të goditurit.
“Shkatërrimi është në nivele të pabesueshme. Është një tmerr përtej çdo imagjinate”, tha Jerry Brown.
Punonjësit e shpëtimit janë duke përdorur qentë me erë për të kërkuar trupa në rrënojat e shtëpive të djegura nga zjarret, në një kohë kur askush nuk ka dëgjuar ende nga pothuajse gjysma e 900 njerëzve të regjistruar zyrtarisht si të zhdukur. Zyrtarët druhen se identifikimi i viktimave të zjarrit do të jetë i vështirë.
Deri më tani janë djegur më shumë se 75 mijë hektarë tokë, duke përfshirë disa nga vreshtat e famshme botërore në veri të Kalifornisë. Të paktën 3.500 shtëpi dhe biznese janë shkatërruar tërësisht.